Transmetuar më 15-10-2026, 13:30

Edhe të miturit në protesta, kanë pakënaqësitë e tyre për të shprehur, Policia ngre shqetësimin për pjesëmarrjen e fëmijëve

Pjesëmarrja e të miturve në protestat e ditëve të fundit ka sjellë reagimin e Policisë së Shtetit, e cila ka shprehur shqetësimin për sigurinë e tyre gjatë tubimeve dhe përplasjeve me forcat e rendit.

Në një deklaratë që shpërndau për mediat, Policia e Shtetit duket se i kërkon llogari prindërve kur shprehet se "u drejtohemi përsëri prindërve me një apel të qartë: Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet".

Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit bën të ditur se ka konstatuar një numër të konsiderueshëm të miturish në protestat e fundit, disa prej të cilëve, sipas saj, janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar ndaj sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.

Policia ngre gjithashtu dyshime për raste të përdorimit të qëllimshëm të të miturve në përplasje, duke paralajmëruar se çdo rast i dyshuar i shfrytëzimit apo nxitjes së tyre për veprime të kundërligjshme do t’u referohet institucioneve kompetente.

Megjithatë, deklarata nuk paraqet raste konkrete apo prova publike që të vërtetojnë pretendimet për përdorimin e fëmijëve si mburojë, ndaj mbetet e rëndësishme të bëhet dallimi mes të miturve që marrin pjesë me vullnetin e tyre në protesta dhe rasteve të mundshme të shfrytëzimit.

Policia u ka bërë thirrje prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve dhe të mos lejojnë ekspozimin e tyre ndaj situatave të rrezikshme.

Nga ana tjetër, mbrojtja e të miturve duhet të shkojë paralelisht me respektimin e të drejtave të tyre për t’u shprehur dhe për të protestuar paqësisht. Siguria e tyre është përgjegjësi jo vetëm e prindërve, por edhe e institucioneve që menaxhojnë tubimet publike.

Prania e të miturve në protesta ngre kështu edhe një çështje tjetër përtej sigurisë: nevojën për të dëgjuar arsyet që i shtyjnë të rinjtë të dalin në rrugë dhe pakënaqësitë që ata kërkojnë të shprehin, pa i konsideruar automatikisht si instrumente të të rriturve. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit