Transmetuar më 15-10-2026, 13:25

TIRANË — Blerja e armatimeve ofensive nga ana e Serbisë, përfshirë raketat balistike të siguruara nga Kina dhe bashkëpunimi i ngushtë ushtarak me Rusinë, përbën një kërcënim real për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një prononcim publik, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier theksoi se Parlamenti Europian ka qenë kritiku më i ashpër i regjimit të Beogradit, duke i kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian ndërprerjen e fondeve dhe ndryshimin e menjëhershëm të qasjes politike.

Deklarata e eurodeputetit Davor Ivo Stier:

"Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me riarmatimin, por edhe me prokurimin e armëve ofensive, për shembull si raketat balistike që janë blerë nga Kina. Çështja është, përse i duhen këto armatime ofensive? Të cilën ne e kemi vënë në dukje përmes një rezolute të Parlamentit Evropian mbi Serbinë.

Ne kemi konstatuar se regjimi serb nuk po ecën aspak në drejtim të vlerave evropiane dhe, sidomos pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Evropian ka qenë shumë kritik edhe sa i takon reagimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Komisionin Evropian, të cilit ne i kemi bërë thirrje që të aplikojë politikat e duhura që tregojnë se vendi nuk po implementon reformat dhe nuk meriton më fonde.

Prandaj do të thosha se Parlamenti Evropian ka qenë institucioni më kritik kur bëhet fjalë për politikat kundrejt Serbisë, ndërsa tek Komisioni zbatohen dhe ndiqen ende politika dhe qasje përmes të cilave ata shpresojnë se do të arrijnë rezultate, por këto rezultate deri më sot kanë qenë negative.

Sigurisht që është një deklaratë shqetësuese. Në vend që t’i vinte veshin mesazheve që vijnë nga institucionet evropiane dhe sidomos nga Parlamenti Evropian, ajo që kemi parë deri tani me Beogradin është se vazhdon me politikat e tij. Vetëm ditën e djeshme, për shembull, Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.

Kjo është një ndërhyrje e pastër në çështjet e brendshme të një vendi, por vjen në një kohë kur Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara dhe mendoj se Serbisë i duhet bërë e qartë se me këto politika të brendshme Serbia nuk po ecën drejt Bashkimit Evropian."

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit