

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje zyrtare të gjithë studentëve, maturantëve dhe nxënësve në mbarë Shqipërinë që të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës masive.
Në një konferencë për shtyp, kreu i opozitës dënoi ndërhyrjen e forcave të policisë ndaj protestuesve dhe kërkoi gjithashtu mbështetjen e pedagogëve, mësuesve dhe biznesit privat.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha:
"Hodhi në flakë, në zjarr ëndrrat e mbi 47% të shqiptarëve që u detyruan të merrnin rrugët nga varfëria e këtij vendi. Hodhi në zjarr, dogji në zjarr shpresat e një kombi. Theu kocka e çau kafka. Duke përshëndetur me përzemërsi këtë revoltë çlirimtare për shqiptarët, dënuar me forcën më të madhe dhunën, terrorin, egërsinë shtazarake të narkobanditëve të urdhëruar nga Edi Rama, u bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve në mbarë Shqipërinë të bojkotojnë mësimet, shkollën, për të shpëtuar ëndrrën e tyre, për të shpëtuar të ardhmen e tyre dhe të familjeve, shoqërisë dhe vendit nga ky zjarrvënës që nuk e kanë parë kohërat. U bëj thirrje pedagogëve të bashkohen me nxënësit dhe studentët e tyre, se mësimi i parë, neni i parë i misionit të tyre është që ata, në çdo rrethanë, duhet të jenë me nxënësit dhe studentët e tyre. Asnjë tentativë, siç po ndodh në disa raste, për të kërcënuar studentët dhe nxënësit nuk do të mbetet pa ndëshkuar. Mësuesit dhe pedagogët janë idhulli për nxënësit dhe studentët. U bëj thirrje biznesmenëve të bashkohen me studentët, mos bini viktimë e narkopropagandës."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






