

Kryeministri Edi Rama i tha Reuters pak më parë se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët që hynë në ditën e tretë radhazi
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët, të cilat këtë të enjte, 15 tetor, kanë hyrë në ditën e tretë radhazi.
Policia ka përdorur autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë thyer xhama dhe kanë dëmtuar prona në kryeqytet, duke bërë që Kuvendi të anulojë seancën plenare.
Studentët, të cilët protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, ka deklaruar Rama në përgjigjet me shkrim dërguar Reuters.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe të vazhdoj ta çoj Shqipërinë përpara. Alternativa do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri.
Rama është shprehur i gatshëm të diskutojë për rritjen e kostove të arsimit, por ka nënvizuar se aktet e dhunës nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve.
“Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë së qytetarëve nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve”, është shprehur ai.
Sipas Reuters, protestat përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili vitin e kaluar fitoi një mandat të katërt në krye të qeverisë.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve thekson se trazirat vijnë pas disa muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Duke iu përgjigjur Reuters lidhur me korrupsionin, Rama ka mbrojtur përpjekjet e qeverisë së tij për ta luftuar këtë fenomen.
“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç e ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë Bashkimi Evropian, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë”, ka deklaruar kryeministri.
Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se forca të caktuara, brenda dhe jashtë vendit, mund të mos dëshirojnë suksesin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
“Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si një nga vendet pararojë për anëtarësimin në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, është shprehur Rama.
Reuters kujton se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, aktualisht kryeson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit, ndërsa synon të bëhet pjesë e unionit që në vitin 2028.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment tensionesh të forta politike dhe sociale në Shqipëri, ndërsa protestat e studentëve kanë hyrë në ditën e tretë, me kërkesën për largimin e kryeministrit nga pushteti.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





