

TIRANË — Policia e Shtetit ka publikuar bilancin zyrtar të veprimeve hetimore lidhur me aktet e dhunës dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar më 14 tetor përpara Ministrisë së Arsimit dhe në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës janë arrestuar në flagrancë 55 shtetas (mes të cilëve dy të mitur të moshës 15 dhe 17 vjeç), si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 98 të tjerë.
Dëmet dhe bilanci i efektivëve të lënduar:
Punonjësit e policisë: 51 efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të dëmtuar gjatë përplasjeve me protestuesit.
Institucionet shtetërore: Janë dëmtuar kangjellat, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, grupe protestuesish kanë hyrë në rrethimin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke dëmtuar godinën, djegur një automjet policie dhe dëmtuar tre mjete të tjera të parkuara.
Prona publike dhe private: Ndërhyrjet me lëndë piroteknike, sende të forta dhe kokteje molotovi në bulevardet “Dëshmorët e Kombit”, “Gjergj Fishta” dhe rrugët “Muhamet Gjollesha” e “Durrësit” kanë shkaktuar dëmtime në fasada xhami, bankomate, semaforë, kamera, sinjalistikë rrugore, si dhe në disa subjekte private e bankare.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






