

DURRËS — Peshëngritësi shqiptar Samuel Rrasa ka ngjitur Shqipërinë në podiumin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe U-23 që po zhvillohet në Durrës, duke siguruar medaljen e bronztë në stilin e shtytjes për kategorinë deri në 65 kg.
Sportisti kuqeblu realizoi 125 kg në stilin e shkëputjes, ku u rendit në vendin e katërt, ndërsa në stilin e shtytjes ngriti 153 kg, rezultat që i siguroi vendin e tretë dhe medaljen e bronztë. Në dygarësh, Rrasa grumbulloi gjithsej 278 kg, duke e mbyllur garën në vendin e katërt të renditjes së përgjithshme.
Kjo medalje shënon suksesin e parë për kombëtaren shqiptare në këtë kampionat europian, ku vendi ynë përfaqësohet nga nëntë sportistë (gjashtë në kategorinë junior dhe tre në U-23). Garat e kombëtares vijojnë më 16 tetor me Enkeleda Carjan në kategorinë deri në 69 kg (ora 13:00) dhe Antonino Mullisin në kategorinë junior deri në 75 kg (ora 17:00).
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






