

TIRANË — Dita e tretë e protestës së të rinjve ka sjellë një masivizim të bojkotit mësimor në të gjithë vendin, duke përfshirë si auditorët universitarë ashtu edhe shkollat e mesme, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka anuluar seancën e parashikuar plenare.
Në kryeqytet, nxënësit e gjimnazeve kryesore — si “Petro Nini Luarasi”, “Partizani”, “Qemal Stafa” dhe “Çajupi” — i janë bashkuar studentëve në marshimet që po bllokojnë disa nga akset kryesore rrugore.
Revolta është shtrirë me shpejtësi edhe në rrethe:
Elbasan: Studentët kanë bllokuar akset rrugore kryesore, ku pas përplasjeve me forcat e rendit, policia ka nisur shoqërimin e disa të rinjve.
Durrës: Në Universitetin "Aleksandër Moisiu" (UAMD), studentët kanë hyrë në godinat e fakulteteve duke bërë thirrje për bojkot me parullat "Dilni nga klasa" dhe "Poshtë patronazhistët!", përpara se të marshonin drejt sheshit qendror.
Kamëz: Gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugët me thirrjet "Të gjithë së bashku!".
Ndërkohë, në planin politik, seanca e parashikuar e Kuvendit të Shqipërisë është anuluar zyrtarisht pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nga ku deputetët e shumicës parlamentare janë larguar nga godina e parlamentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





