

TIRANË — Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte, më 15 tetor, në orën 10:00 në një seancë plenare me rend dite të ngjeshur, e cila vjen në një klimë të tensionuar politike pas zhvillimeve dramatike dhe protestave në kryeqytet.
Pjesë e çështjeve kryesore në rendin e ditës është interpelanca urgjente e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike me Ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve. Po ashtu, parashikohen dy interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi — njëra mbi autostradën Milot-Balldre e kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj, dhe tjetra mbi termocentralet lundruese në Vlorë e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Ndërkohë, Ministri i Financave, Petrit Malaj, është thirrur në interpelancë nga deputeti Tedi Blushi për masat fiskale ndaj uljes së çmimeve.
Në rendin e ditës përfshihet edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, i fokusuar në rishikimin e kompetencave të bashkive — ku opozita pritet të refuzojë pjesëmarrjen — si dhe shqyrtimi i gjashtë projektligjeve që mbulojnë mbrojtjen e profesionit të avokatit, kontrollet kufitare me Maqedoninë e Veriut, shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






