

TIRANË — Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters e ka cilësuar protestën studentore në Tiranë si shpërthimin më të dhunshëm të pakënaqësisë kundër kryeministrit Edi Rama, në një klimë zemërimi në rritje mbi korrupsionin e perceptuar në nivelet e larta të qeverisjes.
Sipas raportimit të Reuters, mijëra studentë vërshuan në rrugët e kryeqytetit duke u vënë flakën një godines qeveritare dhe dy bankave — përfshirë një degë të Raiffeisen Bank pranë Ministrisë së Arsimit — si dhe duke qëlluar me gurë ndaj forcat e rendit. Policia u përgjigj me autobote uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila po ashtu dëmtoi fasadat e bizneseve lokale dhe përmbysi kazanët e mbeturinave.
Agjencia e lajmeve vëren se protestat vijnë pas një vere tubimesh paqësore lidhur me projektin e resortit luksoz në jug të Shqipërisë të mbështetur nga dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. Organizatorët studentorë theksuan se revolta lidhet me kostot e larta të arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivën e dobët të punësimit, duke e lidhur këtë lëvizje me valën e aktivizmit studentor që po përfshin Evropën.
Reuters citoi njërën prej protestuesve në terren:
“Ky është një revolucion. Jemi lodhur nga protestat paqësore. Nuk do të ndalemi derisa Rama të japë dorëheqjen”
Lidhur me ngjarjet reagoi edhe Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu përmes një deklarate:
“Protesta është një e drejtë legjitime, por ajo nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, shkatërrimin e qytetit apo përleshje të shëmtuara në mes të rrugës. U bëj thirrje studentëve dhe çdo qytetari të ndershëm që beson në të drejtën e protestës: Distancohuni nga dhuna dhe vandalizmi!”
Ndërkohë, Policia e Shtetit paralajmëroi përmes një njoftimi se:
“Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprat penale të kryera”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





