

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe strukturat e Policisë së Shtetit për përdorimin e dhunës ndaj studentëve gjatë protestave në kryeqytet, duke e krahasuar ndërhyrjen e forcave të rendit me ngjarjet e dhjetorit 1990.
Në një takimi me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, Berisha e vlerësoi qëndresën e të rinjve si një nga revoltat më të fuqishme të zhvilluara brenda një kohe të shkurtër, ndërsa pretendoi se mbi 50 studentë dhe qytetarë kanë mbetur të plagosur me fraktura dhe dëmtime serioze.
"Revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore. Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë," deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës u shpreh se reagimi i studentëve erdhi si pasojë e dhunës policore dhe kushteve të vështira ekonomike e sociale me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri.
"Edi Rama, duke urdhëruar për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër dhunuesve të tyre. Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës," tha ai.
Berisha nërmbylli fjalën e tij duke theksuar se studentët kanë arsye të forta ekonomike për të protestuar, duke përmendur kostot e larta të jetesës, qiratë e papërballueshme në raport me të ardhurat dhe mungesën e mbështetjes institudionale për arsimin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






