Transmetuar më 14-10-2026, 21:18

Pas dy ditësh dhunë dhe flakësh në Tiranë, ministri Ervin Demo del me një paralajmërim të fortë: “Tërhiquni sa nuk është tepër vonë!”. Ai akuzon politikën e vjetër dhe pretendon për përfshirje të aktorëve të huaj përmes rrjeteve sociale. Çfarë dinë autoritetet për organizimin e trazirave? Ja deklarata e ministrit…

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar ashpër pas ditës së dytë të protestave të dhunshme në Tiranë, duke akuzuar politikën e vjetër dhe duke pretenduar për përfshirjen e aktorëve të huaj në nxitjen e trazirave.

Në një reagim të gjatë, Demo deklaron se aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk përfaqësojnë studentët, por janë pjesë e një skenari të organizuar për të krijuar destabilitet në vend.

“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private”, shprehet ministri.

Demo ngre gjithashtu pretendime për ndërhyrje nga jashtë vendit, duke deklaruar se aktorë të huaj kanë vepruar përmes rrjeteve sociale që prej muajit qershor.

“Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë”, deklaron ai.

Ministri nuk paraqet në këtë reagim prova konkrete që mbështesin pretendimet për përfshirjen e aktorëve të huaj.

Duke iu drejtuar studentëve, veçanërisht atyre të Mjekësisë, Demo thekson se qeveria dhe Partia Socialiste mbeten në mbështetje të tyre, pavarësisht bindjeve politike apo qëndrimeve ndaj pushtetit.

“Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju!”, shkruan ai.

Sipas ministrit, rruga për përmbushjen e kërkesave të studentëve është dialogu me institucionet dhe jo përplasja e dhunshme.

Ai përmend edhe Paktin për Universitetin, duke theksuar se ai lindi si rezultat i protestave të mëparshme studentore dhe se qeveria mbetet e hapur për përmirësime të tjera.

Një paralajmërim të drejtpërdrejtë Demo u ka bërë personave të përfshirë në zjarrvënie dhe shkatërrime, duke theksuar se përgjegjësia penale nuk do të shmanget.

“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë”, paralajmëron ministri.

Në reagimin e tij, Demo ka falënderuar edhe efektivët e Policisë së Shtetit për atë që e cilëson profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje gjatë përballjes me protestuesit.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si një pjesë e mediave kanë pasqyruar ndërhyrjet policore dhe veprimet e personave të maskuar.

Duke iu drejtuar qytetarëve të Tiranës, ministri kërkon durim dhe garanton se shteti do të veprojë me qetësi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Në përfundim, Demo lëshon edhe një deklaratë që ngre pikëpyetje për informacionet që disponojnë autoritetet lidhur me organizimin e trazirave.

“Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa”, deklaron ministri.

Ai shprehet se personat që, sipas tij, qëndrojnë pas organizimit të dhunës kanë bërë llogaritë gabim dhe se qeveria nuk do të lejojë rikthimin e vendit në pasiguri.

Reagimi vjen pas dy ditësh protestash në kryeqytet, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë, zjarrvënie dhe dëmtime të pronës publike e private.

E plotë/ Reagim i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private.

Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë.

U bënë bashkë për të sfiduar qetësinë dhe durimin tonë U bënë bashkë me një skenar ogurzi, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e natyrshme të studentëve për progres dhe padurimin e natyrshëm të më të rinjve për shpejtësinë e progresit. Si dikush që në politikë ka ardhur nga auditori i Universitetit dhe që nuk ka ndërmend të sillet si profesor sonte, dua t’u them studentëve që të përfshirë në këtë vorbull, në radhë të parë atyre të mjekësisë, të cilët vijnë nga radhet e nxënësve më të mirë: Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju! Sepse ne nuk ju shohim kurrësesi në asnjë rast e për asnjë arsye si kundërshtarë, po vetëm si trashëgimtarë të një stafete kombëtare që nesër do të jetë e juaja.

Po çfarë Shqipërie doni të trashëgoni, atë që po ndërtojmë apo atë që e trashëguam të shkatërruar, nga duart e pikërisht atyre që me një grup maskash në ballë po bëjnë çmos të risjellin rrëmujë e pasiguri në Shqipëri?

Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju.

Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë.

Të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit u them sot faleminderit, për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, në kushte tejet të vështira provokimesh të pafundme, si edhe nën një trysni krejt të pandershme mediatike, ku qimja e policisë bëhet tra dhe trau i maskave të dhunshme bëhet e student!

Qytetarëve të Tiranës u them ju lutem durim, pavarësisht se flakët në dyert e ministrive që nuk janë parë në këtë qytet as në krizat e mëdha historike, mund të duken si dobësi e shtetit. Jo nuk janë, kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim, duke synuar të na tërheqë në një skenar ogurzi për Shqipërinë, që ne do ta çmontojmë me qetësi dhe durim.

Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa, as në duart e liga të atyre që e kanë gatuar dhe as në kohën e zymtë të shëmtisë që na është rishfaqur si fantazëm e të kaluarës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit