

Ndërsa Tirana po përjeton ditën e dytë të protestave të dhunshme, kryeministri Edi Rama vijon të mos ketë një dalje publike për t’iu drejtuar qytetarëve lidhur me situatën. Këtë herë, është zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ajo që ka reaguar, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu ka bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, ndërsa ka rikujtuar pasojat e rënda që, sipas saj, Shqipëria ka përjetuar nga trazirat e së kaluarës.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot”, shkruan Koçiu.
Zëvendëskryeministrja thekson se pamjet e flakëve, dhunës dhe përplasjeve në kryeqytet tregojnë se sa lehtë një protestë paqësore mund të përshkallëzohet në kaos.
“Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi”, shprehet ajo.
Koçiu u bën apel protestuesve të shmangin veprimet që rrezikojnë sigurinë publike, duke theksuar se institucionet, bizneset dhe hapësirat publike u përkasin të gjithë qytetarëve.
“Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari”, vijon reagimi.
Në përfundim, zëvendëskryeministrja përcjell mesazhin:
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur.”
Reagimi i Koçiut dhe heshtja e gjatë e Ramës vijnë në një kohë kur kryeqyteti është përfshirë nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, zjarrvënie dhe dëmtime të institucioneve shtetërore e bizneseve private.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk ka zhvilluar ende një komunikim publik të drejtpërdrejtë për ngjarjet, megjithëse më herët është raportuar se gjatë mbledhjes së qeverisë ka kërkuar që shqetësimet e studentëve të dëgjohen dhe ka bërë dallimin mes tyre dhe personave të përfshirë në dhunë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






