

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ishte e dyta pas asaj të Arsimit që u sulmua sot nga studentët protestues.
Disa prej tyre arritën të futen brenda godinës dhe morën përpara çfarë u dilte duke shkatërruar zyrat dhe ambiente të ndryshme.
Pamjet e mëposhtme tregojnë atë çka la pas protesta e sotme.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar në rrjetet e saj sociale, ku dënoi aktet e dhunës dhe vandalizmit të regjistruara pasditen e sotme në ambientet e institucionit.
Ajo tha se protestuesit i vunë flakën godinës, duke shkaktuar një situatë të rrezikshme dhe duke cenuar sigurinë e njerëzve dhe integritetin e pronës publike.
"Djegia dhe shkatërrimi i ambienteve institucionale përbëjnë akte të papranueshme, që përtej dëmeve materiale, krijojnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e personave që ndodhen në godinë, si dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit", thekson Ibrahimaj, e cila bën apel për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke kërkuar shmangien e akteve të mëtejshme të dhunës dhe të çdo veprimi që mund të përshkallëzojë situatën. Ruajtja e sigurisë publike dhe mbrojtja e institucioneve duhet të jenë përparësi në çdo rrethanë".
"Institucionet publike janë pasuri e përbashkët dhe dëmtimi i tyre prek të gjithë qytetarët. Dhuna dhe vandalizmi nuk mund të jenë pjesë e asnjë forme të pranueshme të veprimit publik. Respektimi i ligjit, i sigurisë së njerëzve dhe i pronës publike është i domosdoshëm për garantimin e rendit dhe të interesit të përbashkët", theksohet në postimin e Ministres.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






