Transmetuar më 14-10-2026, 18:00

Prej dy ditësh Tirana është përfshirë nga protesta të studentëve dhe të rinjve, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, zjarrvënie, dëmtime të institucioneve shtetërore dhe bizneseve private. Megjithatë, kryeministri Edi Rama ende nuk ka dalë publikisht për t’iu drejtuar qytetarëve lidhur me situatën e krijuar.

Edhe këtë të mërkurë, 14 tetor, protesta është përshkallëzuar, ndërsa grupe protestuesish kanë hedhur molotovë, gurë dhe mjete piroteknike drejt Ministrisë së Arsimit, ku flakët kanë përfshirë ambiente të godinës.

Tensionet janë zhvendosur më pas në zona të tjera të kryeqytetit, ku janë raportuar dëmtime biznesesh private, thyerje xhamash dhe incidente pranë institucioneve të tjera.

Policia e Shtetit ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me autobotë, ndërsa ka paralajmëruar se personat përgjegjës për aktet e dhunës dhe zjarrvëniet do të përballen me pasojat ligjore.

Në një kohë kur situata ka marrë përmasa shqetësuese, Presidenti i Republikës ka reaguar duke u bërë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje, ndërsa ka kërkuar që edhe ndërhyrjet e policisë të respektojnë ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

Ndërkohë, vëmendja mbetet edhe te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ka zhvilluar një dalje publike të drejtpërdrejtë për protestat.

Më herët sot gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkurë, Rama raportohet se është shprehur se personat e përfshirë në akte dhune nuk janë studentë, ndërsa ka kërkuar që shqetësimet e studentëve të dëgjohen.

Megjithatë, ky qëndrim është bërë i ditur përmes raportimeve mediatike dhe jo nëpërmjet një komunikimi publik të kryeministrit.

Protestuesit, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim, më shumë mbështetje financiare dhe perspektivë për të ardhmen, kanë artikuluar gjithashtu thirrje për dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.

Në përfundim të ditës së dytë të protestave, mbetet për t’u parë nëse kryeministri do të zgjedhë t’u drejtohet publikisht studentëve dhe qytetarëve, apo do të vijojë të komunikojë qëndrimin e tij përmes kanaleve të tjera.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit