

Presidenti reagon pas tensioneve në Tiranë, mesazh protestuesve dhe policisë: Dhuna nuk është zgjidhje, forca të mos dalë jashtë ligjit!
Pas orëve të tensionuara në Tiranë, vjen reagimi i Presidentit! Kreu i shtetit dënon dhunën, paralajmëron policinë të mos tejkalojë kufijtë e ligjit dhe u bën një ftesë të drejtpërdrejtë të rinjve. Ja mesazhi i plotë…
Tiranë – Presidenti i Republikës ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje si protestuesve, ashtu edhe forcave të policisë, të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.
Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, kreu i shtetit ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar, duke theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një nga themelet e demokracisë dhe duhet të garantohet nga shteti.
Megjithatë, Presidenti ka dënuar përdorimin e dhunës, ndërsa ka përcjellë një mesazh të qartë edhe për Policinë e Shtetit, duke kërkuar që çdo ndërhyrje të jetë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, shprehet Presidenti.
Kreu i shtetit ka nënvizuar se në këtë moment vendi ka nevojë për më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët, duke rikujtuar se Kushtetuta dhe ligji duhet të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim.
“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim”, thekson ai.
Në përfundim të reagimit, Presidenti ka shprehur gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke deklaruar se institucioni i Presidencës mbetet i hapur për dialog.
“Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, përfundon reagimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






