

Tensionet përshkallëzohen në Tiranë, protestuesit mësyjnë Ministrinë e Brendshme, tentojnë të futen brenda godinës, përplasje me policinë
Protesta në Tiranë vijon të shoqërohet me tensione dhe përplasje, ndërsa një tjetër institucion shtetëror është vënë në shënjestër të protestuesve.
Pas incidenteve të regjistruara pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë drejtuar edhe drejt Ministrisë së Brendshme, ku një grup i konsiderueshëm personash ka tentuar të hyjë me forcë në ambientet e institucionit.
Sipas raportimeve, protestuesit kanë mësyrë drejt hyrjes kryesore të godinës, duke u përballur me efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët deri më tani kanë arritur të pengojnë hyrjen e tyre.
Situata është shoqëruar me hedhje gurësh dhe mjetesh piroteknike në drejtim të ndërtesës, ndërsa forcat e rendit po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll.
Ndërkohë, raportohet se policia po vijon me arrestimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme.
Mes protestuesve janë dëgjuar edhe thirrje për të vijuar marshimin drejt Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse turma do të zhvendoset drejt këtij institucioni.
Tensionet pranë Ministrisë së Brendshme shënojnë një tjetër episod të protestës së sotme në kryeqytet, e cila është shoqëruar me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






