

Deputetja socialiste Sara Mila ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë, duke akuzuar Sali Berishën dhe mbështetësit e tij për krijimin e tensioneve dhe frikës përmes skenave të regjistruara gjatë tubimit.
Në një reagim publik, Mila ka sjellë në vëmendje kujtimet e vitit 1997, duke argumentuar se pamjet e dhunës dhe tensioneve nuk duhet të përsëriten dhe të ndikojnë te brezat e rinj.
“Kujtimet e ’97 që formësuan ankth kolektiv tek një gjeneratë e tërë, nuk ua servirni dot sot fëmijëve tanë”, shkruan deputetja socialiste.
Ajo e cilëson situatën shqetësuese dhe pretendon se veprimet e protestuesve rrezikojnë edhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Milës, përgjegjësia për situatën lidhet me atë që ajo e përshkruan si ambicie politike të opozitës për të marrë pushtetin.
“Këto pamje, frikë e trysni nuk ua ka borxh askush, madje as historia, e cila do dijë të gjykojë më mirë padyshim”, shprehet ajo.
Në përfundim të reagimit, deputetja socialiste përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Berishës dhe mbështetësve të tij, duke theksuar se qytetarët shqiptarë, sipas saj, nuk do t’i falin për atë që po ndodh.
“Shqiptarët iu njohin, shqiptarët nuk ua falin, shqiptarët nuk janë budallenj”, përfundon Mila.
Reagimi vjen në një kohë kur protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, ndërsa qëndrimet e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës për zhvillimet mbeten të kundërta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






