

Përshkallëzohet dhuna në Tiranë, protestuesit i vënë flakën një biznesi në Rrugën e Durrësit, thyhen xhamat e disa lokaleve. Policia nuk kursen mjetet e saj
Protesta në Tiranë vijon të shoqërohet me tensione dhe incidente të dhunshme, ndërsa situata është përshkallëzuar edhe në Rrugën e Durrësit, ku raportohet se protestuesit i kanë vënë flakën një biznesi privat.
Sipas raportimeve, gjatë lëvizjes së protestuesve janë thyer edhe xhamat e disa bizneseve të tjera, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim në zonë.
Incidentet vijnë pas përplasjeve të forta të regjistruara më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku një grup protestuesish të maskuar hodhën molotovë, gurë, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të godinës.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve zjarrvënëse, flakët përfshinë edhe disa zyra në ambientet e Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit shkulën gjithashtu kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari, ndërsa vijuan të godasin godinën e institucionit me sende të forta dhe lëndë plasëse.
Për të përballuar situatën, Policia e Shtetit ndërhyri duke përdorur ujë me autobotë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të parandaluar incidente të tjera.
Megjithatë, tensionet nuk janë ndalur, ndërsa protesta është zhvendosur edhe në zona të tjera të kryeqytetit, duke u shoqëruar me dëmtime të pronës private.
Situata mbetet e tensionuar prej disa orësh dhe ende nuk është e qartë se cili do të jetë itinerari i mëtejshëm i protestuesve.
Policia e Shtetit paralajmëron protestuesit: Deri në 7 vite burg për dhunën dhe zjarrvënien!
Policia e Shtetit ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke paralajmëruar pasoja penale për personat që përfshihen në akte dhune, sulme ndaj efektivëve dhe shkatërrim të pronës publike e private.
Përmes një deklarate zyrtare, Policia u ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen menjëherë nga personat që kryejnë veprime të dhunshme.
Në reagim theksohet se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vite burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave.
“Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese”, thuhet në deklaratë.
Sipas Policisë, çdo person që sulmon punonjësit e rendit, përdor dhunë apo shkakton dëmtime të pronës do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.
Autoritetet theksojnë se djegia dhe shkatërrimi i pronës përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, si dhe për sigurinë e pronës publike dhe private.
“Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve!”, apelon Policia e Shtetit.
Në përfundim të reagimit, Policia nënvizon se e drejta për të protestuar është e garantuar, por se aktet e dhunës dhe shkatërrimit nuk mund të justifikohen përmes ushtrimit të kësaj të drejte.
“Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, përfundon deklarata.
Reagimi vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet, ku janë raportuar hedhje molotovësh, sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të policisë.
Përditësim protesta ora 16:30
SUT: Po marrin aktualisht trajtim në urgjencë 3 protestues dhe 2 efektivë policie, koshient të gjithë, gjendja shëndetësore e mirë. Asnjë humbje jete.
QSUT: 3 protestues kanë marrë mjekimin dhe kanë dalë nga spitali.
Informacion mbi gjendjen e lënduarve gjatë protestës
MSHMS informon mbi gjendjen shëndetësore të personave të paraqitur në strukturat spitalore pas protestës.
Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) është paraqitur një protestues, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është koshient.
Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është paraqitur një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është larguar me këshillën e mjekut.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me dëmtime të lehta. Dy prej tyre janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, ndërsa personi i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon të ndjekë situatën në koordinim të pandërprerë me strukturat dhe do të informojë në vijim.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






