Transmetuar më 14-10-2026, 15:50

Policia e Shtetit paralajmëron protestuesit: Deri në 7 vite burg për dhunën dhe zjarrvënien!

Policia e Shtetit ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke paralajmëruar pasoja penale për personat që përfshihen në akte dhune, sulme ndaj efektivëve dhe shkatërrim të pronës publike e private.

Përmes një deklarate zyrtare, Policia u ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen menjëherë nga personat që kryejnë veprime të dhunshme.

Në reagim theksohet se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vite burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave.

“Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese”, thuhet në deklaratë.

Sipas Policisë, çdo person që sulmon punonjësit e rendit, përdor dhunë apo shkakton dëmtime të pronës do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij.

Autoritetet theksojnë se djegia dhe shkatërrimi i pronës përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, si dhe për sigurinë e pronës publike dhe private.

“Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve!”, apelon Policia e Shtetit.

Në përfundim të reagimit, Policia nënvizon se e drejta për të protestuar është e garantuar, por se aktet e dhunës dhe shkatërrimit nuk mund të justifikohen përmes ushtrimit të kësaj të drejte.

“Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, përfundon deklarata.

Reagimi vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet, ku janë raportuar hedhje molotovësh, sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të policisë.

REAGIM I RI i POLICISË SË SHTETIT

Nisur nga përshkallëzimi i dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi me zjarr i pronës publike dhe private, Policia e Shtetit iu bën thirrje të përsëritura dhe të forta të gjithë pjesëmarrësve në tubim, të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.

Veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private.

Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve! Ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë është përgjegjësi e gjithsecilit.

E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit