

Flakët kanë përfshirë godinën e ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Pamjet që ju sjell noa.al tregojnë qartë se zjarri ka përfshirë dyer dhe dritare dhe ka hyrë në mjediset e brendshme të godinës në katin e parë, të dytë dhe më lart.
Disa zyra tashmë janë djegur. Deri tani nuk shihet ndërhyrje e repartit zjarrfikës.
Përditësim i vazhdueshëm
Përshkallëzohet protesta para Ministrisë së Arsimit, molotovë dhe flakë në godinë, policia ndërhyn me gaz lotsjellës dhe ujë

Situata është tensionuar sërish këtë të mërkurë, 14 tetor, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protesta e studentëve dhe të rinjve është shoqëruar me përplasje të dhunshme, hedhje molotovësh, gurësh dhe mjetesh piroteknike në drejtim të godinës dhe forcave të policisë.
Një grup protestuesish të maskuar kanë shkulur kangjellat që ndajnë rrugën nga trotuari, ndërsa kanë hedhur sende të forta dhe lëndë plasëse drejt institucionit. Mjete piroteknike janë hedhur edhe në katin e parë dhe të dytë të ndërtesës, duke shkaktuar flakë në ambientet e godinës.
Përballë përshkallëzimit të situatës, forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me autobotë, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të parandaluar dëmtime të mëtejshme.
Protesta nisi pak para orës 14:00, pasi studentë të Fakultetit të Ekonomisë, Universitetit Politeknik dhe Fakultetit të Mjekësisë bojkotuan procesin mësimor për t’iu bashkuar tubimit. Në protestë janë përfshirë edhe nxënës të disa shkollave të kryeqytetit.
Gjatë përplasjeve, protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave, ndërsa kanë shkulur pllaka nga trotuaret, duke i hedhur në drejtim të institucioneve dhe efektivëve të policisë.
Nga ana tjetër, policia ka përdorur vazhdimisht ujë për të larguar protestuesit nga godina dhe për të penguar dëmtimin e pronës publike.
Tensionet e sotme vijnë vetëm një ditë pas protestës së dhunshme të 13 tetorit, gjatë së cilës u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime të konsiderueshme materiale dhe persona të lënduar.
Gjatë protestës së një dite më parë, një grup protestuesish shkulën kangjellat dhe dëmtuan një prej portave të oborrit të Ministrisë së Arsimit, duke arritur të futeshin në hapësirën e brendshme të institucionit.
Persona të maskuar hodhën kapsolla, gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari drejt godinës dhe efektivëve të policisë, duke thyer disa xhama të fasadës.
Për të vënë situatën nën kontroll, policia ndërhyri me spraj piperi, gaz lotsjellës dhe ujë me autobotë.
Bilanci i protestës së 13 tetorit ishte 16 persona të arrestuar dhe 49 të proceduar penalisht.
Gjithashtu, gjashtë persona mbetën të lënduar dhe morën trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tre prej tyre ishin kalimtarë dhe tre protestues.
Nga përplasjet mbetën të lënduar edhe gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit.
Protesta e 14 tetorit ka rikthyer tensionet në qendër të kryeqytetit, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar përpara Ministrisë së Arsimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






