

Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë që tronditi Tiranën! Ismete dhe Agim Ziu humbën jetën, ndërsa në pranga përfundoi bashkëjetuesi i vajzës së tyre, Astrit Idrizi. Momente dramatike edhe për banorët e pallatit, një vajzë u shpëtua nga dritarja prej zjarrfikësve. Ja çfarë kanë zbuluar hetimet…
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur gjatë natës në Shkozë të Tiranës, ku një çift bashkëshortësh humbi jetën si pasojë e një zjarri të qëllimshëm, ndërsa disa banorë të tjerë përjetuan momente paniku.
Viktimat janë identifikuar si Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Agim Ziu, 68 vjeç, të cilët humbën jetën në spital pas zjarrit që përfshiu apartamentin e tyre në kompleksin e banesave sociale.
Ndërkohë, në pranga ka përfunduar Astrit Idrizi, 35 vjeç, bashkëjetuesi i vajzës së viktimave, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin qëllimisht banesës së tyre.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të datës 14 tetor, në rrugën “Ali Shefqeti”, në Shkozë. Flakët përfshinë apartamentin ku banonin dy të moshuarit, ndërsa tymi dhe zjarri shkaktuan panik edhe te familjet e tjera të pallatit.
Situata u bë dramatike, pasi dy persona, njëri prej tyre i mitur, tentuan të hidheshin nga dritarja për t’u shpëtuar flakëve.
Në pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale shihet momenti kur një zjarrfikës arrin të shpëtojë një vajzë që kishte dalë në dritare. Ndërhyrja e tij u prit me duartrokitje nga qytetarët e mbledhur jashtë ndërtesës.
Fillimisht ngjarja u raportua si një zjarr në banesë, por hetimet e ekspertëve kriminalistë dhe specialistëve të zjarrvënieve ngritën dyshime se flakët ishin vënë qëllimisht.
Sipas Policisë, nga veprimet e para hetimore rezulton se autori i dyshuar është 35-vjeçari Idrizi, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes.
Dy bashkëshortët, Ismete dhe Agim Ziu, nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të zjarrit dhe ndërruan jetë në spital.
Ende nuk dihen motivet që dyshohet se e shtynë 35-vjeçarin të kryente këtë veprim ndaj prindërve të bashkëjetueses së tij.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





