

TIRANË — Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim zyrtar lidhur me zhvillimet e protestës përpara Ministrisë së Arsimit, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës apo personat e maskuar.
Sipas policisë, e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por sulmet ndaj efektivëve, dëmtimi i pronës publike e private dhe dhuna ndaj institucioneve përbëjnë vepra të dënueshme me ligj për të cilat do të ketë përgjegjësi penale.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve. Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit.
Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





