Transmetuar më 14-10-2026, 12:41

TIRANË — Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti” në Shkozë të Tiranës, ku flakët e zjarrit u kanë marrë jetën dy bashkëshortëve.

Sipas Policisë së Shtetit, zjarrvënia dyshohet se është kryer qëllimisht nga shtetasi A. I., 35 vjeç, bashkëjetuesi i vajzës së çiftit. Viktimat, shtetasit I. Z., 65 vjeçe dhe A. Z., 68 vjeç, humbën jetën në spital si pasojë e plagëve dhe djegieve të marra.

Autori i dyshuar është vënë në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 menjëherë pas krimit, ndërsa hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:

“Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e zjarrit, rreth mesnatës, te banesat sociale.

I vuri zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses, në Shkozë, me pasojë vdekjen e të dy bashkëshortëve, arrestohet menjëherë pas krimit, 35-vjeçari.

Rreth orës 00:30 të datës 14.10.2026, menjëherë pas njoftimit për zjarr te banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, Shkozë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me rastin.

Nga veprimet hetimore të kryera nga ekspertë kriminalistë dhe ekspertë të rasteve të zjarrvënieve, dyshohet se shtetasi A. I., 35 vjeç, i ka vënë zjarrin njërës prej banesave të këtij kompleksi, konkretisht asaj të shtetasve I. Z., 65 vjeçe dhe A. Z., 68 vjeç, prindër të bashkëjetueses së tij. Si pasojë, humbën jetën në spital, të dy bashkëshortët.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme policore, 35-vjeçari u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit.

Hetimi është në vijim, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore, të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit