

Tragjedi në Shkozë, 35-vjeçari dyshohet se i vuri flakën banesës së prindërve të bashkëjetueses, humbin jetën dy bashkëshortët
Tronditëse ajo që ndodhi pas mesnate në Shkozë! Një çift bashkëshortësh, 65 dhe 68 vjeç, humbën jetën pas zjarrit në banesë. Policia arrestoi 35-vjeçarin, bashkëjetuesin e vajzës së viktimave, si autor të dyshuar të zjarrvënies. Ja çfarë kanë zbuluar hetimet e para…
Tiranë – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën gjatë natës, ku një çift bashkëshortësh ka humbur jetën si pasojë e një zjarri të qëllimshëm, që dyshohet se është shkaktuar nga bashkëjetuesi i vajzës së tyre.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 të datës 14 tetor 2026, në kompleksin e banesave sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, në Shkozë.
Sipas Policisë, autori i dyshuar është shtetasi A. I., 35 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin prindërit e bashkëjetueses së tij, shtetasit I. Z., 65 vjeçe, dhe A. Z., 68 vjeç.
Si pasojë e zjarrit, dy bashkëshortët kanë pësuar dëmtime të rënda dhe kanë humbur jetën në spital.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, së bashku me ekspertë kriminalistë dhe specialistë të hetimit të zjarrvënieve.
Nga veprimet e para hetimore janë ngritur dyshime se zjarri është vënë qëllimisht nga 35-vjeçari, i cili është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet, rrethanat dhe dinamikën e krimit, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë e të dyshuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





