

TIRANË — Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar një bilanc të përditësuar mbi gjendjen e të lënduarve gjatë protestës studentore në kryeqytet, ku gjashtë persona po vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Sipas njoftimit zyrtar, mes të shtruarve janë tre kalimtarë dhe tre protestues, ku një prej kalimtarëve po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa një tjetër protestues ka marrë ndihmë mjekësore në QSUT për shkak të shenjave të intoksikimit.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
“Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme. Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor 6 persona të lënduar, nga të cilët:
3 kalimtarë, në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët vijojnë qëndrimin në spital. Njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. 3 protestues, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u uron shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar dhe garanton vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






