

TIRANË — Klevi Metaj, student i Universitetit të Tiranës dhe i biri i korrespondentes së News24 në Gjirokastër, Brikena Metaj, është shndërruar në një nga emrat më të komentuar pas protestës studentore të së martës përpara Ministrisë së Arsimit.
Pamjet e regjistruara gjatë tubimit tregojnë të riun teksa ecte në trotuar në momentin kur është goditur nga një efektiv policie, ngjarje që u pasua nga një përplasje fizike mes tij dhe disa efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) të pajisur me shkopinj gome.
Materialet filmike dhe fotografitë e publikuara më pas shfaqin Metajn e prangosur te kangjellat e Ministrisë së Arsimit, si dhe me shenja të dukshme dhune brenda furgonit të Policisë së Shtetit, pamje këto që u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale duke e cilësuar si “Studenti i drejtësisë në kërkim të së drejtës”.
Protesta kombëtare e të rinjve nisi me kërkesa për ndryshimin e gjendjes në sistemin arsimor, luftimin e pabarazisë dhe mungesës së meritokracisë, ndërsa u mbyll me shoqërimin e dhjetëra personave dhe dëmtimin e disa të tjerëve, përfshirë edhe punonjës të medias.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






