

Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit shihet nga analisti Redi Shehu si një protestë kundër protestës dhe po ashtu si një protestë kundër qeverisjes.
"Ngjan si protestë kundër protestës së vjetër, e cila nuk arriti që për katër muaj të ruajë qëndrueshmërinë e vet, të homogjenizojë përmbajtjen dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ta mbajë të pastër nga ndërhyrjet e grupeve politike.", vlerëson Redi Shehu.
Ndërsa veçon: "Është protestë kundër asaj të vjetrës sepse kjo e fundit, pas katër muajsh, u largua diametralisht nga qëllimi për të cilin zanafilloi. Vendi, koha dhe përbërja e saj e tregojnë këtë distancim".
Për Redi Shehun, me iniciativën studentore, protesta e fundit po rikthen bashkë me besimin edhe homogjenitetin e pjesëmarrjen.
"Në formatin e parë e kishte të pamundur të kthehej në lëvizje politike, ndërsa në formatin e tanishëm është më e lidhur, më precize, më e vendosur dhe për pasojë më efektive. Këta janë parametrat e parë që doemos çojnë drejt një platforme politike", vlerëson ai.
Për Shehun, qeverisja aktuale nuk është thjesht një qeverisje e zakonshme e cila rrëzohet lehtë; ajo përfaqëson një sistem kakistokratik, i cili për t’u rrëzuar kërkon kohën dhe pjekurinë e vet.
Por çfarë ndodh më pas? Analisti Redi Shehu thotë se pjekuria e protestës së re do të shihet nëse do të arrijë të ruajë fizionominë e një lëvizjeje studentore autonome, pa u identifikuar me opozitën e vjetër politike".
"Ky kufi bëhet gjithmonë e më i hollë, ndaj edhe pjekuria politike e studentëve duhet të jetë e madhe", përfundon Shehu.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






