Transmetuar më 14-10-2026, 08:27

TIRANË — Publikimi i një videoje ku shfaqet 19-vjeçari L. B. i dëmtuar në këmbë teksa tërhiqet zvarrë nga punonjësit e Policisë së Shtetit pranë mjediseve të Kuvendit ka sjellë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe pezullimin e zyrtarëve policorë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, janë pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjës policie, si dhe Shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Nënkomisar F. K. Po ashtu, Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka urdhëruar hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë rast.

Ndaj punonjësve të pezulluar ka nisur hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet penale.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit sqarohen masat e marra dhe qëndrimi mbi ngjarjen:

“Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit