Transmetuar më 14-10-2026, 08:27

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, u përball me djalin 19 vjeçar nga Librazhdi, Ledion B., i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e 13 tetorit në Tiranë nga një dhunë e rëndë policore që shkoi deri në thyerjen e këmbës së të riut.

Spahiu ka vizituar në Spitalin e Traumës 19-vjeçarin, për të parë gjendjen e tij pasi disa punonjës policie i thyen këmbën gjatë dhunës së ushtruar.

Ledioni dëgjohet në videon e mëposhtme duke i thënë ministres se nuk kishte lidhje me protestën. Ai shpjegoi se thjesht ishte duke kaluar në rrugë kur u përball me forca të shumta policore që e futën në mes duke e goditur në mënyrë të papërgjegjshme.

Në lidhje me rastin e të riut, janë pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefi i Komisariatit të Policisë Nr. 1, ndërsa kanë nisur hetimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria.

Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit "për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore", Policia e Shtetit tha se ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit