

TIRANË, 13 Tetor 2026 — Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka shprehur shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestës studentore në Tiranë, ku mbetën të lënduar protestues, efektivë të Policisë së Shtetit dhe punonjës mediatike.
Përmes një deklarate zyrtare për shtyp, KShH dënoi çdo akt dhune, pavarësisht autorit apo personit ndaj të cilit ushtrohet, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe përgjegjësi me qëllim shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Organizata theksoi se e drejta e tubimit paqësor është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. KShH nënvizoi se aktet e dhunës nga individë të caktuar nuk duhet të shërbejnë si justifikim për trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si të dhunshëm, por nga ana tjetër rikujtoi se protestat nuk legjitimojnë dhunën ndaj policisë apo gazetarëve.
Sa i përket ndërhyrjes së forcave të rendit, KShH apeloi se çdo përdorim i forcës duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, duke i dhënë përparësi masave që shmangin lëndimet. Gjithashtu, KShH u kërkoi institucioneve përgjegjëse të hetojnë në mënyrë të paanshme të gjitha incidentet, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar të forcës dhe sulmet ndaj medias apo polcisë, si dhe të garantojnë të drejtat procedurale për personat e shoqëruar.
DEKLARATË PËR SHTYP (E PLOTË)
Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim për dhunën gjatë protestës studentore dhe bën thirrje për përmbajtje, proporcionalitet dhe respektimin e të drejtave themelore
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktet e dhunës dhe përplasjet e ndodhura gjatë protestës së sotme në Tiranë, të cilat, sipas informacioneve të raportuara, dhe vëzhguesve tanë në terren, kanë sjellë lëndimin e protestuesve, punonjësve të Policisë së Shtetit dhe gazetarëve që po pasqyronin zhvillimet.
KShH dënon çdo akt dhune, pavarësisht autorit apo personit ndaj të cilit ushtrohet, dhe u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
E drejta e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Autoritetet shtetërore kanë detyrimin jo vetëm të mos pengojnë ushtrimin e këtyre të drejtave, por edhe të marrin masa konkrete për garantimin e tyre, duke mbrojtur njëkohësisht sigurinë dhe integritetin fizik të të gjithë personave të pranishëm.
KShH thekson se aktet e dhunës të kryera nga individë të caktuar nuk mund të shërbejnë si justifikim për trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm.
Nga ana tjetër, ushtrimi i së drejtës së protestës nuk legjitimon përdorimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë, gazetarëve apo personave të tjerë, si dhe veprime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e tyre.
Në këtë kontekst, KShH rikujton se çdo përdorim i forcës nga Policia e Shtetit duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Përdorimi i mjeteve të shpërndarjes së turmës duhet të jetë i justifikuar nga rrethanat konkrete, duke u dhënë përparësi masave që shmangin lëndimet dhe përshkallëzimin e tensioneve.
Shqetësim të veçantë përbëjnë raportimet për lëndimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës. Gazetarët duhet të kenë mundësi të raportojnë lirshëm dhe në kushte sigurie, pa u bërë objekt dhune, kërcënimi apo pengimi, nga cilado palë.
KShH u kërkon institucioneve përgjegjëse të dokumentojnë dhe verifikojnë në mënyrë të plotë e të paanshme të gjitha incidentet, përfshirë rrethanat e lëndimit të protestuesve, punonjësve të policisë dhe gazetarëve. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës, si edhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të policisë apo personave të tjerë, duhet të hetohet në mënyrë efektive dhe të pavarur, duke garantuar përgjegjësi individuale dhe shmangur çdo formë pandëshkueshmërie.
KShH u bën thirrje gjithashtu autoriteteve të garantojnë transparencë për masat e ndërmarra, personat e shoqëruar apo të ndaluar, nëse ka të tillë, dhe respektimin e plotë të të drejtave të tyre procedurale, përfshirë të drejtën e informimit, ndihmës juridike dhe trajtimit dinjitoz.
Ruajtja e rendit publik dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, respektimi i këtyre të drejtave është kusht themelor për menaxhimin demokratik të protestave dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit apelon për shmangien e çdo forme dhune, garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve dhe të punonjësve të medias, si dhe për një reagim institucional që synon uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






