

TIRANË, 13 Tetor 2026 — Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar publikisht pas përplasjeve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke dënuar sulmet ndaj forcave të rendit.
Përmes një deklarate zyrtare, Demo bëri me dije se gjashtë punonjës të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur gjatë kryerjes së detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Kreu i Ministrisë së Brendshme nënvizoi se goditja e efektivëve të policisë tejkalon kuadrin e protestës paqësore.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar. U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet,” u shpreh Demo.
Ministri u uroi shërim të shpejtë efektivëve të lënduar dhe u shprehu mbështetjen e plotë familjeve të tyre, ndërsa garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin për ruajtjen e sigurisë publike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






