

UASHINGTON, 13 Tetor 2026 — Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka zyrtarizuar dorëheqjen e saj nga detyra pas kërkesës së drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë, duke shoqëruar largimin me një deklaratë ku mohon kategorikisht akuzat për kërkesë të paligjshme parash.
Largimi i saj vjen pas raportimeve të The Wall Street Journal, sipas të cilave Guilfoyle kishte kërkuar 100 mijë dollarë nga një donator i Presidentit Donald Trump përpara seancës së saj të konfirmimit në Senat vitin e kaluar.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Guilfoyle konfirmoi dorëheqjen, ndërsa theksoi se do të mbrojë integritetin e saj ndaj atyre që i cilësoi si shpifje:
“Dëshiroj gjithashtu të trajtoj akuzat e ngritura së fundmi ndaj meje. Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e shërbimit tim publik,” deklaroi ajo.
Pavarësisht rrethanave të largimit, ish-ambasadorja shprehu mirënjohje për Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, duke nënvizuar arritjet e mandatit të saj diplomatik në Athinë, me fokus te zgjerimi i eksporteve të gazit natyror të lëngshëm (LNG), ulja e varësisë energjetike evropiane nga Rusia dhe forcimi i partneritetit ushtarak në kuadër të NATO-s.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






