Transmetuar më 13-10-2026, 16:42

Policia e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar armë, municione dhe mjete të tjera ushtarake në dy objekte të pabanuara në fshatrat Paruce dhe Ranqiq të Zubin Potokut. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut, në veri të vendit, ku ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe mjetesh shpërthyese.

Sipas njoftimit zyrtar, zbulimi është bërë falë bashkëpunimit me qytetarët. Gjatë kontrolleve në dy objekte të pabanuara, në fshatrat Paruce dhe Ranqiq, njësitë policore kanë gjetur armatim të llojeve të ndryshme.

Në lokacionin e parë, në fshatin Paruce, janë sekuestruar 141 fishekë të armëve të gjata, 21 fishekë të armëve të gjata me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, katër granata dore, një tytë pushke gjuetie, 48 gëzhoja, pajisje për mbushjen e fishekëve, barot dhe materiale të tjera për prodhimin e tyre. Po ashtu, është gjetur një gazmaskë ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.

Ndërsa në lokacionin e dytë, në fshatin Ranqiq, policia ka sekuestruar një pistoletë, katër granata dore dhe 2 056 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjeteve shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin. Të gjitha veprimet janë raportuar te Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet për rastin vijojnë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit