

DURRËS — Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) ka njoftuar abonentët se gjatë ditës së nesërme, e mërkurë, 14 tetor 2026, priten çregullime dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë zonën e saj të shërbimit.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të prekin qytetin e Durrësit, zonën e fshatrave, zonën turistike, si dhe bashkitë Shijak e Maminas.
Shkak për këtë ndërprerje janë punimet e njoftuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), i cili do të kryejë stakimin dhe tokëzimin e linjës 110 kV L110-36 Laç 1 – Fushë Kuqe nga ora 09:00 deri në orën 14:00.
Për shkak të stakimit të kësaj linje, do të mbesin pa energji elektrike stacionet kryesore të pompave në Fushë Kuqe, Fushë Milot dhe Fushë Krujë, prej të cilave varet furnizimi i të gjithë rajonit.
SHRUKD ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe abonentëve për këtë situatë të përkohshme të furnizimit me ujë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






