

FIER — Familjarët e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj nga Patosi janë përballur me vendimin e Gjykatës së Fierit për shuarjen e dënimit me 25 vite burgim ndaj Sokol Hoxhës, autorit të vrasjes së dy vëllezërve në mars të vitit 1997.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Aurora Tusha, pas kërkesës së prokurores Malbora Dinaj, me argumentin ligjor se kishin kaluar afatet e parashkrimit të ekzekutimit të dënimit penal të dhënë në vitin 2000.
Nëna e dy vëllezërve të vrarë shprehu indinjatën dhe dhimbjen e saj pas këtij vendimi, duke u shprehur:
“Ai brodhi gjithë botën si deshi ai. Iku në moment, m’i vrau djemtë, edhe brodhi gjithë botën e nuk u bë gjë për djemtë e mi, çfarë shteti është ky? Unë jam nënë, dhe me ata fëmijë jemi bërë gjysmakë.”
Sokol Hoxha, 51 vjeç, u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 gusht 2026, pas arrestimit të tij në maj gjatë operacionit të koduar “Globi”.
Pavarësisht shuarjes së dënimit në Shqipëri, Institucioni i Ekzekutimit të Veprave Penale Fier sqaroi se 51-vjeçari nuk do të lirohet. Më 8 tetor, Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për llogari të drejtësisë belge, ku Hoxha është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një vajze nga Elbasani në Bruksel.

Sokol Hoxha
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






