

TIRANË — Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje sot Partisë Demokratike që të bashkohet në ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, ndërsa u shpreh keqardhës për braktisjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve nga ana e opozitës.
Balla bëri me dije se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pritet të dekretojë javën e ardhshme datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore, e cila sipas tij do të përcaktohet në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit.
Lidhur me qëndrimin e opozitës dhe propozimet për ndryshimet kushtetuese e territoriale, Taulant Balla deklaroi:
“Te Konferenca e Kryetarëve kanë qenë përfaqësuesit e PS-së, ishte Tedi Blushi aty nga opozita. Nuk e kuptova qëndrimin e PD-së. Shpresoj që të ketë reflektim. Përfaqësuesit e PD-së u larguan pa kuptuar atë që donim të thoshim ne. Edhe Partia Demokratike, sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki, ndërsa Territorialja është votuar në parlament. Thelbi i diskutimit ka qenë se çfarë kompetencash do i transferojmë pushtetit lokal.
Nëse e kanë me merak këtë problem, të vijnë në Komision. Hajde të diskutojmë edhe për fondet që do ndahen për bashkitë. Hajde të flasim për rajonet. Unë jam i bindur se Territorialja është në përputhje me Kushtetutën. PD çdo çështje e çon në Kushtetuese.
Ne kemi ardhur në fillim të këtij viti me propozimin e ndryshimeve kushtetuese, për të shkuar nga 140 anëtarë të Kuvendit në 120. Nëse PD-ja është e gatshme, e ftoj që të përcaktojmë ndryshimet kushtetuese. Nëse PD-ja do që të bëjë ndryshime kushtetuese për rajonet, jemi të hapur për diskutime.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






