

ROMA — Kompania ajrore australiane Qantas ka pezulluar përkohësisht fluturimin e kthimit të një avioni tip Boeing 787 Dreamliner nga Roma drejt Perthit, pas zbulimit të pleshtave të shtratit në pjesën e përparme të kabinës së klasit ekonomik.
Incidenti u konstatua gjatë udhëtimit të datës 9 tetor, çka detyroi linjën ajrore të anulonte fluturimin e kthimit të planifikuar për më 10 tetor me qëllim kryerjen e një pastrimi të thelluar dhe dezinfektimin e plotë të mjetit fluturues. Kompania iu kërkoi falje pasagjerëve të prekur, duke iu siguruar akomodim dhe rirezervim në fluturime të tjera, ndërsa sqaroi se kabinat u nënshtrohen procedurave të dezinfektimit parandalues çdo 50 ditë.
Ekspertët e parazitologjisë vlerësojnë se hyrja e insekteve në kabinë mund të ketë ardhur përmes valixheve apo veshjeve të vetë udhëtarëve nga ambientet e akomodimit, ndërsa trajtimi i tyre kërkon përdorimin e insekticideve specifike ose nxehtësi të lartë rreth 55°C.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






