Transmetuar më 13-10-2026, 07:39

BERLIN, 13 Tetor 2026 — Më shumë se 45 mijë studentë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë zbritur në rrugët e rreth 100 qyteteve gjermane, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Frankfurtin, Kielin dhe Mynihun, për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kancelarit Friedrich Merz për reformimin e shërbimit ushtarak.

Të rinjtë, të organizuar nga aleanca “Schulstreik gegen Wehrpflicht” (Greva shkollore kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak), marshuan me sllogane si “Ne nuk do të marrim pjesë në luftërat tuaja” dhe “Të pasurit duan luftë, të rinjtë duan të ardhmen”. Shkaku kryesor i revoltës është nisja e kontrolleve të para mjekësore dhe regjistrimeve të detyrueshme për të rinjtë e lindur nga viti 2008 e tutje.

Zëdhënësja e lëvizjes studentore, Bela Breitner, deklaroi për agjencinë DPA se procesi i regjistrimit ka nisur më herët nga sa ishte parashikuar. Edhe pse shërbimi aktiv mbetet zyrtarisht vullnetar, refuzimi i plotësimit të formularëve ose nënshtrimit ndaj kontrolleve shoqërohet me sanksione administrative dhe financiare, çka nga protestuesit shihet si një përgatitje për rikthimin gradual të rekrutimit të detyrueshëm.

Nga ana tjetër, qeveria e Kancelarit Merz synon rritjen e numrit të ushtarakëve aktivë në 260 mijë në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse evropiane pas luftës në Ukrainë, ndërsa studentët kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të ligjit për modernizimin e ushtrisë dhe ndërprerjen e kontrolleve mjekësore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit