

TIRANË, 12 Tetor 2026 — Çështja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është përfshirë në raportin e katërt të monitorimit të zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, të hartuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.
Dokumenti, i dorëzuar më 7 tetor dhe i cili pritet të miratohet më 27 tetor, ngre shqetësime lidhur me faktin se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelet më të larta dhe kohëzgjatjen më të madhe të paraburgimit në Evropë. Raporti përshkruan ecurinë institucionale të rastit, duke kujtuar se në shtator 2025 Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi për shkarkimin e Veliajt për shkak të mungesës mbi 3-mujore në detyrë, çka solli dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, në nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese e shpalli shkarkimin antikushtetues dhe e riktheu atë në detyrë duke anuluar zgjedhjet, ndonëse në praktikë ai nuk mund t’i ushtrojë funksionet pasi vijon të mbahet në paraburgim.
Ndonëse raportuesit theksojnë se komentimi i procedimeve penale aktive mbetet jashtë fushëveprimit të tyre, ata i referohen gjetjeve të Komisionit të Venecias mbi ndikimin e masave të tilla në qeverisjen vendore. Sipas raportit, paraburgimi i zgjatur i zyrtarëve të zgjedhur kërkon vëmendje të veçantë, pasi përveç të drejtave individuale të të zgjedhurve sipas KEDNJ-së, prek drejtpërdrejt edhe të drejtat e qytetarëve që kanë dhënë mandatin e tyre përmes votës demokratike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






