Transmetuar më 12-10-2026, 18:40

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Faza e dytë do të përqendrohet në tri fusha kryesore: funksionet dhe shërbimet vendore, financat e vetëqeverisjes vendore dhe krijimin e një niveli rajonal funksional.

Për këto çështje parashikohet shqyrtimi dhe ndryshimi i kuadrit ligjor ekzistues, përfshirë ligjet për vetëqeverisjen vendore, financat vendore dhe zhvillimin rajonal. Sipas kërkesës, ndryshimet ligjore duhet të përgatiten në kohë për të mundësuar funksionimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Komisioni i propozuar do të përbëhet nga 16 anëtarë dhe do të ketë një mandat nëntëmujor, me mundësi zgjatjeje me vendim të Kuvendit. Në fokus të punës së tij do të jetë ndryshimi i kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, forcimi i decentralizimit fiskal dhe hartimi i një formule të re për transfertën e pakushtëzuar, bazuar në të dhënat e Censit 2023. Gjithashtu parashikohet shqyrtimi i ligjeve për financat vendore dhe zhvillimin rajonal si dhe përcaktimi i standardeve minimale për shërbimet publike dhe burimeve të financimit për çdo funksion të bashkive.

Në kërkesë theksohet se reforma duhet të mbështetet te të dhënat, konsultimi i gjerë dhe përpjekjet për konsensus mes forcave parlamentare. Komisioni do të bashkëpunojë me qeverinë, bashkitë, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas nismës, qëllimi është krijimi i njësive vendore më funksionale dhe financiarisht të qëndrueshme, të afta të ushtrojnë më shumë kompetenca dhe të ofrojnë shërbime më cilësore për qytetarët.

Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm, si dhe të vënë në dispozicion të tij, pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacion që kërkohet nga Komisioni për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij.

Kërkesa

Me vendimin nr. 75/2025, Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me mandat nëntëmujor. Komisioni e përfundoi punën e tij me Raportin Përfundimtar, të paraqitur në Kuvend më 15.07.2026, i cili vendosi metodologjinë e vlerësimit me pesë kritere dhe hartoi gjetjet dhe skenarët e riorganizimit territorial. Mbi bazën e Raportit dhe të një procesi të gjerë konsultimi me bashkitë, këshillat bashkiakë dhe qytetarët, Kuvendi miratoi në tetor 2026 ligjin nr. 100/2026 për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili organizon vendin në 46 bashki, me qytetet përbërëse dhe njësitë administrative.

Harta e re është shtylla e parë e reformës. Tri shtyllat e tjera, funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe niveli rajonal, kërkojnë ligje më vete, që duhet të hartohen brenda vitit të ardhshëm nga Kuvendi, Qeveria dhe bashkitë. Plotësimi i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” me statusin e qytetit, nënkryetarin e qytetit, përfaqësimin dhe organizimin e brendshëm bashki–qytet–njësi administrative; standardet minimale të shërbimeve dhe burimi i financimit për çdo funksion; formula e re e transfertës së pakushtëzuar mbi të dhënat e Censit 2023 dhe ndryshimet në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”; dhe një nivel rajonal funksional, mbi strukturën ekzistuese të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Logjika e reformës është e qartë: nuk mund t’u shtohen kompetenca bashkive që sot nuk i kryejnë dot as ato që kanë; bashki më të forta sot do të thotë më shumë kompetenca dhe më shumë financim nesër.

Këto ligje duhet të jenë gati në kohë për fillimin e funksionimit të bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Faza e dytë duhet të ndjekë metodën që e provoi veten në fazën e parë: punë e bazuar në të dhëna, konsultim i gjerë dhe synim konsensusi mes forcave parlamentare, nën drejtimin e Kuvendit dhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Për këto arsye, në bazë të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, ne, deputetët e Kuvendit, kërkojmë:

1. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, me objekt reformën administrative të qeverisjes vendore: funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe nivelin rajonal.

2. Komisioni i Posaçëm të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: a) shqyrtimin e kuadrit ligjor dhe institucional të vetëqeverisjes vendore, në vijim të ndarjes së re administrativo-territoriale; b) analizën e funksioneve, kompetencave dhe shërbimeve publike vendore dhe propozimet për thellimin e decentralizimit; c) analizën e sistemit të financave vendore dhe propozimet për forcimin e decentralizimit fiskal dhe të qëndrueshmërisë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore; ç) analizën dhe propozimet për nivelin rajonal dhe zhvillimin rajonal, në funksion të politikës së kohezionit dhe të fondeve të Bashkimit Europian; d) sigurimin e përputhshmërisë së propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore; dh) zhvillimin e një procesi konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë; e) paraqitjen përpara Kuvendit të projektligjeve dhe të relacioneve shoqëruese, brenda afatit të veprimtarisë së Komisionit.

3. Në realizimin e objektit të tij, Komisioni i Posaçëm të shqyrtojë dhe të propozojë ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në ligjin nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, në ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, si dhe në çdo akt tjetër ligjor që lidhet me objektin e veprimtarisë së tij.

4. Komisioni i Posaçëm të ndjekë zbatimin e ligjit nr. 100/2026 dhe të masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, dhe të bashkërendojë punën me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore për çështjet e përfaqësimit.

5. Komisioni i Posaçëm të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare, dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij. 6. Pranë Komisionit të Posaçëm të ngrihet grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, numri, përbërja, organizimi dhe detyrat e të cilit të përcaktohen me vendim të Komisionit, si dhe të funksionojë Sekretariati Teknik, i përbërë nga administrata e Kuvendit dhe ekspertë të kontraktuar.

7. Komisioni i Posaçëm të zhvillojë konsultime me ministrat përgjegjës për fushat e fazës së dytë, me institucionet dhe agjencitë në varësi të Këshillit të Ministrave, me institucionet në varësi të Kuvendit dhe me institucionet e pavarura, si dhe me kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore; të organizojë seanca dëgjimore, tryeza pune dhe diskutime publike; dhe të ftojë Delegacionin e Bashkimit Europian, Këshillin e Europës dhe Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, Prezencën e OSBE-së dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për asistencë dhe ekspertizë teknike.

Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm, si dhe të vënë në dispozicion të tij, pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacion që kërkohet nga Komisioni për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij. Kuvendi duhet të marrë masa për krijimin e kushteve të punës dhe mbështetjen financiare, logjistike e me burime njerëzore të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, të grupit të ekspertëve dhe të Sekretariatit Teknik.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit