

Pesë persona të armatosur dhe të maskuar si efektivë policie kanë grabitur një banesë në lagjen “5 Maji” në Elbasan, në orët e para të mëngjesit të 12 tetorit. Autorët kanë hyrë në banesë rreth orës 04:05, ndërsa familjarët ishin në gjumë, dhe kanë kërkuar para e sende me vlerë.
Pronari i banesës, Lorenc Zerellari, ka rrëfyer për mediat momentet e frikshme, duke treguar se grabitësit janë prezantuar si punonjës policie dhe i kanë kërkuar armë e drogë, përpara se t’i kërkonin paratë.
“Ngjarja ka ndodhur në 4 të mëngjesit. Ishim duke fjetur gjumë. Të maskuar si policë më thanë mos lëviz, ‘Policia’. Në fillim më thanë ku e ke pistoletën dhe drogën, pastaj më pyetën ku i kisha lekët. Nipit i vunë pistoletën në kokë. E gjithë ngjarja zgjati për 15 minuta. Në shtëpi kishim 6 fëmijë, janë traumatizuar. Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë”, ka deklaruar Zerellari.
Edhe një 19-vjeçar, pjesëtar i familjes, ka treguar për frikën e përjetuar gjatë grabitjes, duke deklaruar se autorët e kanë goditur me pistoletë.
Sipas Policisë, grabitësit kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash. Familjarët kanë deklaruar për mediat se u janë marrë rreth 3 mijë euro dhe tre telefona, ndërsa hetimet do të përcaktojnë vlerën e plotë të sendeve të vjedhura.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e efektivëve, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira. Sipas raportimeve, ata janë ndjekur edhe nga një patrullë policie.
Gjatë veprimeve hetimore, janë gjetur dhe sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e pesë personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






