

TIRANË — Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka njoftuar dorëheqjen nga postimi i tij zyrtar pas shtatë muajsh në krye të sistemit penitenciar në vend. Përmes një deklarate publike, Kupi sqaroi motivet e vendimit të tij, duke nëvizuar sfidat ligjore e administrative dhe kundërshtimet e përballura përgjatë kësaj periudhe.
Drejtori në largim e cilësoi periudhën e drejtimit si mjaft komplekse për shkak të vendimeve me emergjencë të lartë, ndërsa theksoi se fokusi i punës së tij ka qenë i përqendruar në rritjen e parametrave të sigurisë, modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e trajtimit të të dënuarve.
Lidhur me përballjen me sfidat dhe vendimin për largim, Kupi deklaroi publikisht fjalën e tij të lamtumirës:
“Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.
Për mua kjo nuk ishte një periudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjësi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.
Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.
Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.
Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.
Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.
Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.
Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






