Transmetuar më 12-10-2026, 13:58

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Fierit ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Sokol Hoxhës, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 pas një debati për një kasetofon makine.

Sokol Hoxha ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg, pasi në atë kohë nuk ishte bërë i mundur arrestimi i tij. Pas ngjarjes, ai kishte arritur të largohej nga Shqipëria dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arrestua pas më shumë se 25 vitesh. Më pas, ai u ekstradua drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Pas mbërritjes në gusht në Shqipëri, Hoxha u dërgua në ambientet e paraburgimit në burgun e Fierit.

Seanca gjyqësore ndaj tij nisi paraditen e sotme, në orën 11 : 15, citon noa.al portalin lokal alb365. Gjatë procesit, prokuroria e përfaqsuar nga Malbora Dinaj kërkoi që ai të mbahej në burg, duke argumentuar edhe se Hoxha ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e një shtetasi.

Nga ana tjetër, dy avokatët e tij Toto Avdija dhe Rozeta Plaku kërkuan lirimin, me argumentin se kishin kaluar 25 vite nga momenti kur vendimi i dënimit kishte marrë formë të prerë dhe se autoritetet shqiptare nuk kishin arritur ta arrestonin për të vuajtur dënimin.

Sa i përket dënimit të dhënë nga drejtësia belge, mbrojtja pretendoi se nuk ekzistonte një kërkesë nga autoritetet belge për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar lidhur me vrasjen e shtetases Brunilda Dervishi në Belgjikë.

Pas dëgjimit të pretendimeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, gjyqtarja Aurora Tusha vendosi të pranonte kërkesën e avokatëve, duke urdhëruar lirimin e Sokol Hoxhës.

Avokatët e Hoxhës pohuan se për çështjen e vrasjes së dy vëllezërve Banaj në 1997 në Patos kishin kaluar 29 vjet dhe klienti i tyre ka fituar lirinë, por tashmë ai ka një çështje tjetër që duhet të përballet me drejtësinë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit