

TIRANË — Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pas një seance pyetjesh që zgjati rreth tre orë, e shoqëruar nga avokatja e saj mbrojtëse.
Karçanaj u paraqit para hetuesve në zbatim të masës së sigurisë "detyrim për t’u paraqitur", e cila iu lehtësua nga Gjykata e Lartë pas zëvendësimit të masës fillestare të "arrestit në shtëpi". Ajo është një nga tetë të pandehurit kryesorë në dosjen hetimore të SPAK-ut lidhur me procedurat tenderuese të AKSHI-t, ku po hetohen dyshimet për manipulim të garave dhe favorizim të paligjshëm të kompanive private.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, e cila ka marrë në shqyrtim procedurat e 12 tenderave publikë, në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa sigurie ndaj disa personave, mes të cilëve Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj në "arrest me burg", si dhe pezullimi nga detyra për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. Masat e sigurisë përfshijnë gjithashtu shtetasit Hava Delibashi, Andis Papa, Rogers Rryta dhe G.H., nën akuzat për grup të strukturuar kriminal, shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe heqje të paligjshme të lirisë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






