

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për zhvlerësimin rekord të euros në raport me lekun, duke iu referuar një studimi të publikuar nga EUROSTAT. Duke folur në një deklaratë për mediat, Berisha tha se leku shqiptar ka shënuar vlerësimin më të madh në botë kundrejt euros, duke bërë krahasimin me 40 monedha kryesore të planetit.
Berisha solli në vëmendje edhe rastet kur euroja ka fituar terren ndaj monedhave të tjera, duke përmendur paundin, dollarin e Hong Kongut dhe koronën norvegjeze. Duke komentuar këto shifra, kreu i Partisë Demokratike e lidhi forcimin e lekut me atë që e cilësoi si ndikim të ekonomisë së narkotrafikut në Shqipëri:
“Sot, në historinë e këtij vendi, shënohet rekordi më i zi i kohërave. EUROSTAT shpall se leku shqiptar thyen rekordin botëror në raport me zhvlerësimin prej tij të euros dhe dollarit, por EUROSTAT është marrë me euron. EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Çfarë gjen EUROSTAT nga studimi i 40 monedhave të planetit? Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euroja në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër, 33 përqind. Gjen se zhvlerësimi i dytë më i madh i euros është 18 përqind dhe ky është Izraeli me ekonomi 10 herë, 15 herë më e fuqishme se e Shqipërisë. Zhvlerësimi i tretë është Zvicra me ekonomi trilionëshe. Ka një zhvlerësim të lehtë me 6 përqind në Meksikë, tek Sinaloa. Në Serbi me dinarin, 6 përqind. Ka një zhvlerësim euroja me dollarin e Singaporit 3 përqind. Kurse me dy monedha të tjera, përveçse dy që mbeten pa ndryshim, euroja ka fituar terren. Për shembull unë ju thashë këtu, me sterlinën ka fituar 1 përqind. Me dollarin e Hong Kongut ka fituar 5 përqind. Me koronën norvegjeze ka fituar 17 përqind. Norvegjia vetëm fondin sovran të investimeve e ka 2 trilionë euro. Pra, çfarë kemi këtu? Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos. Dhe sot e tutje nuk do të quhet më lek, por do të quhet narkos. Pesë mijë narkos, kjo do të jetë monedha e re e Shqipërisë.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






