

Nën masa të rrepta sigurie, 51-vjeçari Sokol Hoxha, i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është paraqitur në Gjykatën e Fierit, ku kërkon parashkrimin e ekzekutimit të dënimit me 25 vite burg.
Hoxha, me origjinë nga Patosi, është dënuar në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997, pas një konflikti që dyshohet se nisi për një kasetofon makine. Për këtë ngjarje, Gjykata e Fierit e dënoi në mungesë me 25 vite burg në vitin 2000.
Ndërkohë, ndaj tij ekziston edhe një vendim i drejtësisë belge, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit.
51-vjeçari u arrestua në SHBA në muajin maj, pas bashkëpunimit të autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, belge dhe amerikane, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Globi”. Më 6 gusht, ai u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Tashmë, 26 vite pas vendimit të vitit 2000, Hoxha kërkon shuarjen e dënimit për shkak të parashkrimit.
Përmes avokatëve të tij, Toto Avdia dhe Rozeta Plaku, ai argumenton se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit penal.
Seanca e mëparshme gjyqësore, e zhvilluar një javë më parë, u shty për të marrë informacion nga Gjykata e Lartë mbi vendimmarrjen më të fundit që lidhet me këtë çështje.
Kërkesa po shqyrtohet nga gjyqtarja Aurora Tusha, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga Malbora Dinaj.
Çfarë parashikon ligji për parashkrimin e dënimit?
Sipas nenit 68 të Kodit Penal, ekzekutimi i një vendimi dënimi parashkruhet pas kalimit të afateve të përcaktuara nga ligji, të cilat llogariten nga dita kur vendimi ka marrë formë të prerë.
Për dënimet me burgim nga 15 deri në 25 vite, afati i parashkrimit është 20 vjet. Për dënimet nga 5 deri në 15 vite, afati është 10 vjet, ndërsa për dënimet deri në 5 vite burgim ose dënimet më të lehta, afati është 5 vjet.
Megjithatë, kalimi i 26 viteve nga dhënia e vendimit nuk nënkupton automatikisht shuarjen e dënimit. Gjykata duhet të shqyrtojë momentin kur vendimi ka marrë formë të prerë dhe kushtet ligjore të zbatimit të parashkrimit.
Vendimmarrja e Gjykatës së Fierit do të përcaktojë nëse kërkesa e Hoxhës për shuarjen e dënimit prej 25 vitesh burg do të pranohet apo do të rrëzohet.
51-vjeçari u ndalua nga agjentët e United States Marshals Service më 5 maj 2026 menjëherë pasi kishte përfunduar vuajtjen e një dënimi në një burg amerikan për vepra penale të kryera në SHBA.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






