

KALAMATË / TIRANË — Një 19-vjeçar me shtetësi turke, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar nga policia greke në Rrugën Kombëtare Kalamata–Pylos.
I riu akuzohet se është autori i ngjarjes së regjistruar më 9 mars të këtij viti në një lokal në Sauk të Tiranës, ku mbeti i plagosur me plumb në shpatull bashkatdhetari i tij, Halil Ucar, 36 vjeç. Sipas dinamikës së hetuar nga policia shqiptare, autori kishte qenë duke darkuar në katin e parë të lokalit dhe më pas është ngjitur në katin e dytë ku ndodhej Ucar, duke hapur zjarri ndaj tij përpara se të largohej me shpejtësi nga vendngjarja.
Ndalimi i tij në Greqi u krye gjatë një kontrolli të ushtruar nga oficerët e policisë së Mesinisë në një automjet ku udhëtonin tre shtetas turq të moshës 19, 21 dhe 22 vjeç. Gjatë kontrollit, forcat e rendit sekuestruan 14.7 gramë marijuanë, një sasi të vogël kokaine, katër telefona celularë, si dhe dokumente identiteti e patenta bullgare me autenticitet të dyshimtë.
Nga verifikimet rezultoi se 19-vjeçari ishte subjekt i një Urdhër-Arresti Ndërkombëtar me Njoftim të Kuq (Red Notice) nga Interpol Tirana, ndërsa së bashku me 22-vjeçarin qëndronin ilegalisht në territorin grek. Çështja po ndiqet nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Kalamatës për procedurat e mëtejshme të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






