

TIRANË, 12 Tetor 2026 — Leku shqiptar ka shënuar mbiçmimin më të madh ndaj euros përgjatë dekadës së fundit në krahasim me 40 monedhat kryesore globale të analizuara nga Eurostat, duke ulur me rreth një të tretën vlerën e monedhës evropiane në tregun vendas.
Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat për periudhën gusht 2016 – gusht 2026, kursi i këmbimit ka pësuar një rënie me 32%, nga 136.51 lekë për euro që këmbehej një dekadë më parë, në nivelin e 92.78 lekëve për euro. Performance e lekut është shkëputur ndjeshëm nga valutat e tjera ndërkombëtare e rajonale. Pas lekut, forcimin më të madh e kanë regjistruar franga zvicerane me 14% dhe korona çeke me 10.5%, ndërsa në rajon dinari serb u forcua me 5% dhe denari i Maqedonisë së Veriut mbeti pothuajse i pandryshuar.
Ndërkohë, shumica e monedhave të tjera në listë kanë humbur terren ndaj euros, si lira turke, jeni japonez apo hryvnia ukrainase. Ndonëse raporti i Eurostat mat vetëm lëvizjet e kursit, forcimi i jashtëzakonshëm i lekut përgjatë kësaj dekade lidhet me rritjen e hyrjeve të mëdha valutore në ekonominë shqiptare, të nxitura nga zgjerimi i sektorit të turizmit, remitancat dhe flukset financiare në ndërtim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






