

POGRADEC, 11 Tetor 2026 — Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka ngritur publikisht alarmimin për gjendjen e mjerueshme të shtëpisë së shkrimtarit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko). Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tare ka denoncuar se rrënojat e banesës së njeriut të letrave janë braktisur tërësisht dhe po shfrytëzohen si vendgrumbullim mbeturinash.
Sipas denoncimit, ndërtesa ndodhet vetëm 20 metra nga kopshti i poetit Lasgush Poradeci, ndërsa rrugica e ngushtë që historikisht lidhte dy shtëpitë e figurave të mëdha të letërsisë shqipe është bllokuar me mure e gurë. Për të dhënë një mesazh reflektimi, Tare ka shoqëruar denoncimin e tij me pamje nga vendngjarja dhe me një fragment prekës nga letra e lamtumirës së Kutelit drejtuar bashkëshortes së tij, ku i porosiste fëmijët ta duan atdheun dhe gjuhën shqipe "gjer në vuajtje".
Postimi i plotë:
“Rrënojat e Shtëpisë së Mitrush Kutelit”
Prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare.
Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopështi i Lasgushit shtëpia është rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash. Rrugica e ngushtë që dikur lidhte shtëpitë e dy njerzve të letrave është mbyllur me mure dhe gurë si për ti ndarë ata poetë edhe pas vdekjes.
Pjesë nga Letra e lamtumirës për bashkëshorten”
“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”
Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






