

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë fushatës elektorale u premtoi mbështetësve të tij se do të ngrinte sërish flamurin serb në Kosovë.
Në reagimin e tij, Hoxha e cilësoi sot këtë retorikë si nxitëse dhe paralajmëroi se deklarata të tilla mund të inkurajojnë individë apo grupe të gatshme për t’i kthyer fjalët në veprime.
Sipas tij, rreziku nuk qëndron vetëm te mesazhi politik, por edhe te pasojat që ai mund të sjellë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ministri solli në vëmendje sulmin e Banjskës, duke theksuar se kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fortë e rrezikut që paraqet retorika nacionaliste.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë”, theksoi ai.
Ministri shtoi se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi paqen, sigurinë, gjithëpërfshirjen dhe integrimin evropian, duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






